Greqi: Gjenden 18 persona të pajetë në pyllin e prekur nga zjarret, dyshime se viktimat janë emigrantë

Trupat e pajetë të 18 personave janë gjetur në një zonë të pyllëzuar në veri të Greqisë, zonë e cila është shkrumbuar nga flakët e ditëve të fundit.

BBC shkruan se nga raportimet e para besohet se të ndjerët janë emigrantë. Një ekip mjekësh dhe hetuesish kanë shkuar në vendin e ngjargjes (pylli Dadia) për të marrë trupat e për t’i ekzaminuar.

BBC shkruan më tutje se në rajonin e Evros-it (në veri-lindje të Greqisë) zjarret kanë sjellë dëme të mëdha. Pacientët e një spitali atje u detyruan të largohen pasi zjarri kaploi godinën. Zjarri rrezikoi dhe repartin e fëmijëve të porsalindur e atë të kujdesit intensiv, duke bërë që ekipet e shpëtimit të largonin foshnjet përmes varkave nëpërmjet detit.

Pylli i Dadias është një park kombëtar që mbulon një sipërfaqe prej afro 65 km në veri të Aleksandropolit. Zëdhënësi i zjarrfikësve atje Yiannis Artopoios, tha se gjasat janë të mëdha që trupat e 18 personave të gjetur në zonën pyjore të jenë emigrantë, pasi nuk ka patur raportime për njerëz të humbur (banorë të zonës).