Skrapar: 34 vjeçari qëllon me armë drejt shtëpisë së 61 vjeçarit, terrorizohen familjarët

Një konflikt për motive të dobëta ka mjaftuar që një 34 vjeçar të armatoset me kallash dhe të qëllojë drejt mureve të shtëpisë së një tjetër banori në fshatin Potom të Skraparit, duke terrorizuar 4 anëtarët e familjes.

Njoftimi

Pas marrjes së njoftimit se rreth orës 23:00, brenda një banese në fshatin Potom të Skraparit, ishte qëlluar me armë zjarri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, me qëllim arrestimin e autorit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta të shërbimeve të Policisë së Skraparit, në bashkëpunim me ato të Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Berat, u kap dhe u vu në pranga shtetasi L. T., 34 vjeç, banues në fshatin Potom, Skrapar.

Shtetasi L. T. ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov, drejt mureve të banesës së shtetasit S. H., 61 vjeç, për të kanosur anëtarët e familjes së këtij shtetasi, për shkak të një konflikti për motive të dobëta që kishte me ta.

Arma e zjarrit kallashnikov me të cilën u qëllua, dhe 21 fishekë luftarak, u gjetën dhe u sekuestruan nga Policia, në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.