Detaje të reja mbi “X6” që përfundoi në digën e liqenit, shofer i makinës rezulton të ketë qenë Emiljano Nina

Shoferi i fuoristradës BMW X6 e cila ‘fluturoi’ mbi digën e liqenit artificial në Tiranë, nuk ka qenë 26 vjeçari Eldi Allushi, por një tjetër person i identifikuar si Emiljano Nina.

Policia ka mundur të zbardhë ngjarjen dhe ka identifikuar 28 vjeçarin Nina, si shoferin e mjetit që u përplas në digën e liqenit. Nina rezulton të jetë i afërm me një tjetër personazh të njohur për opinionin publik, Ervis Martinajn. 28 vjeçari është i njohur për autoritetet pasi ka precedentë të mëparshëm penalë.

Nina është shpallur në kërkim tashmë, ndërsa policia e akuzon për ‘shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, “shkatërrim i pronës”, “moskallëzim krimi”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Në automjet ishte dhe një person i tretë, i identifikuar si Jurgen Allushi, 25 vjeçar. Ky i fundit është ndaluar nga autoritetet dhe po procedohet në gjendje të lirë për “moskallëzim krimi”.

Dëshmia kontradiktore e Eldi Allushit

Para hetuesve 26 vjeçari ka dhënë dëshmi kontradiktore. I menduar fillimisht si drejtues i automjetit që u përplas në digë, Allushi ka treguar se pa dashje i ka mbetur shkelur pedali i gazit e nuk ka patur mundësi të frenojë. Mandej i riu ka treguar se në fakt nuk ka qenë ai shoferi i makinës.

Më herët të riut iu mor një kampion gjaku, për të parë nëse ka qenë i alkolizuar apo nën efektin e lëndëve narkotike.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Qarkullimit Rrugor, në vijim të veprimeve procedurale për aksidentin e ndodhur rreth orës 05:15, të datës 22.08.2023, në Rrugën e Kosovarëve, kanë arrestuar shtetasin:

-E. A., 26 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Moskllëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;

-kanë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të të lirë për shtetasin J. A., 25 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;

– kanë shpallur në kërkim shtetasin E. N., 28 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, “Largimi nga vendi i aksidentit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. 

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi E. N., duke drejtuar automjetin “BMË”, në pronësi të shtetasi E. A., për shkak të shpejtësisë shumë të lartë, ka humbur kontrollin, për pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën anësore, te Liqeni Artificial. Pasagjer në këtë automjet ka qenë shtetasi J. A., i cili pas aksidentit, është larguar bashkë me drejtuesin e automjetit.

Shtetasi E. A. ka përkrahur drejtuesin e automjetit dhe ka penguar në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, duke dhënë dëshmi të rreme në lidhje me rrethanat e aksidentit.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një shkop bejsbolli që është gjetur në banesën e shtetasit E. N. Policia vijon kontrollet për kapjen dhe arrestimin e këtij shtetasi