Greqia “ndërron mendje”, pranon ndihmën e Shqipërisë në përballimin e situatës me zjarret

Greqia ka pranuar afro 60 zjarrfikësit e efektivët e forcave ushtarake shqiptare, të cilat u dislokuan drejt kufirit për t’i ardhur në ndihmë shtetit fqinj në përballimin e situatës me zjarret atje.

Pak orë pasi refuzoi ofertën për ndihmë (ofruar përmes mekanizmit europian të mbrojtjes civile, ku edhe Shqipëria bën pjesë) Athina zyrtaret duket se ka pranuar ofertën e Shqipërisë për t’i ardhur në ndihmë me zjarret.

Disa orë më parë, Ministria shqiptare e Mbrojtjes njoftoi se “Nga pala greke jemi njoftuar se nuk është më e nevojshme ndërhyrja me modulet tokësore të ofruar nga Shqipëria për shkak se ato janë plotësuar nga vende të tjera”.

Por duket se Athina tanimë ka “ndërruar mendje” dhe ka pranuar ndihmën e palës shqiptare. Pala shqiptare do ndihmojë në qytetin e Aleksandrupolit. Pritet që zjarrfikësit e mjetet tona të kalojnë kufirin në mbrëmje.