Avioni ku ndodhej lideri i grupit ‘Wagner’ rrëzohet në veri të Rusisë: Të gjithë besohet se kanë ndërruar jetë

Një avion me 10 pasagjerë, në të cilin besohet se ka qenë dhe lideri i grupit mercenar ‘Wagner’ Yevgeny Prigozhin, është rrëzuar këtë të mërkurë në Rusi.

BBC raporton se të gjithë pjesëtarët në bordin e avioni kanë humbur jetën.

BBC thekson duke iu referuar një kanali në Telegram (i lidhur me grupin e mercenarëve Wagner) se avioni mund të jetë qëlluar nga forca ruse, në rajonin e Tver-it në veri të Moskës.

Lajmi është konfirmuar edhe nga agjencia ruse e lajmeve Tass, e cila raportoi se Progozhin ishte në listën e pasagjerëve në avionin privat.

Kujtojmë se pak kohë më parë, Prigozhin u bë lideri i një revolte kundër ushtrisë ruse, ngjarje e cila u dënua ashpër në një fjalim nga Presidenti Putin, i cili ndër të tjera deklaronte se të gjithë ata të përfshirë (në grushtin e dështuar të shtetit) do të përballeshin me pasoja të rënda për tradhëtinë e tyre.

Prigozhin u shfaq përmes një videoje (postuar në Telegram) ditën e djeshme, teksa deklaronte se ndodhej në Afrikë për të ndihmuar që Rusia të “bëhej një vend edhe më i madh dhe Afrika edhe më e lirë”.

Kujtojmë se në Afrikë së fundmi ka patur një grusht shteti në Niger, atje ku një juntë ushtarake mori pushtetin duke rrëzuar Presidentin e zgjedhur.