Sarandë: 59 vjeçari shqiptar mban peng 6 turistë italianë që kishin marrë me qira apartamentin e tij

Një 59 vjeçar me origjinë nga Kosova është arrestuar nga policia nën akuzën e heqjes së lirisë së 6 turistëve italiane, të cilët kishin marrë me qira apartamentin në pronësi të shqiptarit.

Sipas policisë, 59 vjeçari i kishte mbyllur në banesë të rinjtë sepse ata u kishin prishur disa pajisje në shtëpi. Turistët e kanë filmuar rastin, ndërsa në video dëgjohet teksa një prej shtetasve italiane i kërkon 59 vjeçarit t’i hapë derën sepse po vjen policia.

“Hape derën tani, policia po vjen! Kjo që po bëni është e paligjshme! Hape derën tani.”

Njoftimi i policisë:

Sarandë

I dëmtuan pajisje në apartamentin e dhënë me qira dhe për këtë shkak iu hoqi lirinë 6 shtetasve italianë, për rreth 1 orë, në këtë apartament, vihet në pranga 59-vjeçari nga Kosova.

Pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr. 1, një shtetas iu kishte hequr lirinë, në mënyrë të kundërligjshme, disa shtetasve, në një apartament, shërbimet e Komisariatit te Policisë Sarandë kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit dhe arrestimin e autorit.