U kafshua nga kopeja e qenve të stanit në Delvinë, vogëlushi 12 vjeçar ndodhet tashmë jashtë rrezikut për jetën

Me plagë të shumta në trup, me gjymtyrët të gjithë të kafshuar, por fatmirësisht tashmë jashtë rrezikut për jetën. Kjo është një pamje e 12 vjeçarit i cili u sulmua ditën e djeshme nga një kope me 6 qen stani, në fshatin Rusan të Delvinës.  I riu po kulloste i vetëm bagëtinë kur është sulmuar nga qentë e një familjari të tij.

I mituri shkoi në spitalin e Sarandës në gjendje të rëndë dhe pas ndërhyrjeve kirurgjikale, fatmirësisht e ka kaluar rrezikun për jetën.

Pas ndodhisë së rëndë, banorët e fshatit atje treguan se ky nuk ishte rasti i parë kur qentë sulmojnë njerëzit.

“Kam nipër dhe mbesa dhe kur dal nga shtëpia i shoqëroj” ka thënë një banor i zonës teksa shtoi për rastin se  “Nëse janë të stanit duhet që të kujdesen pronarët dhe ti lidhin”

Për ngjarjen në pyetje janë marrë të afërmit e 12 vjeçarit ndërsa ky i fundit do të vijojë të qëndrojë në spital, nën kujdesin e mjekëve.