Talenti shqiptar në boks, kush është 14 vjeçari shkodran që u shpall nënkampion i Europës

Shqipëria tanimë e ka një nënkampion të Europës në boksin për moshat e reja. Fjala është për Kristian Jubanin. 14 vjeçari arriti të marrë medalje të argjendtë në Kampionatin Europian Maribor 2023, zhvilluar në Slloveni.

Jubani ka lindur dhe jeton në Irlandë me familjen, atje ku është shpallur kampion i vendit dy herë. Por i riu ka patur dëshirë të përfaqësojë flamurin kuqezi dhe këtë verë, ai ka përfaqësuar Shqipërinë. Së bashku me familjen, 14 vjeçari ka ardhur me pushime verore. Në kontakt me trajnerin e njohur Zef Gjoni, i riu ka mundur të bëhet pjesë e kombëtares sonë të boksit.

Nën udhëheqjen e trajnerëve të kombëtares Renato Kurti e Antonet Rapushi, 14 vjeçari ka mundur të fitojë medaljen e argjendtë, duke u ndalur vetëm në finale nga ukrainasi Mykhailo Sydorenko. Jubani u shpall fitimtar në ndeshjet kundër Malit të Zi, Sllovakisë dhe Gjermanisë. Kjo është hera e parë që një boksier shqiptar i moshave arrin një rezultat kaq të lartë.