Ankona: 23 vjeçari shqiptar qëllohet me pushkë peshkimi teksa tentonte të ndalonte një konflikt në rrugë

Një 23 vjeçar ka humbur jetën tragjikisht në Ankona të Italisë fqinje (dje, e diel), teksa u orvat të ndante një konflikt mes dy personave në rrugë.

Media italiane shkruan se viktimë mbeti Klajdi Bitri, ndërsa autori është një 30 vjeçar me origjinë algjeriane. Ky i fundit udhëtonte me makinë me të dashurën pranë një rrethrrotullimi, në momentin kur automjeti para tij ka ngadalësuar. I acaruar nga shoferi para tij, algjeriani i ka rënë borisë disa herë e mandej ka dalë nga makina dhe ka nisur të godasë personin që ngadalësoi para tij. Ky i fundit ishte një burrë me familjen, të shoqen dhe fëmijët e tij të mitur.

Klajdi po ashtu udhëtonte me makinë aty pranë me disa të rinj të tjerë. Ai ka parë ngjarjen e ka vendosur të ndërhyrë për të ndaluar dhunën e algjerianit. Media italiane shkruan se ende është e paqartë nëse i ndjeri (23 vjeçari shqiptar) dhe burri me familjen që po goditej nga algjeriani, njiheshin mes tyre.

Në vijim të dinamikës së ngjarjes, media italiane shkruan se algjeriani është larguar nga makina e familjarit drejt e tek bagazhi i makinës së tij. Prej aty ka nxjerrë një pushkë peshkimi (me shtiza) me të cilën ka qëlluar 23 vjeçarin shqiptar. Shtiza e ka goditur në gjoks të riun, duke i marrë jetën.

30 vjeçari algjerian u arratis, vetëm për t’u arrestuar disa orë më vonë nga karabinierët (shiko videon më poshtë). Ai ndodhej në gjendje konfuze, pa bluzë dhe duke mbajtur ende në dorë pushkën e peshkimit.

Burimi: Il Resto del Carlino/ Përshtati me disa shkurtime: FCH.al