Dalin rezultatet e autopsisë për Klajdi Bitrin: Goditja me shtizë i përshkoi mushkërinë dhe zemrën

Teksa Fatah Melloul, autori i dyshuar i vrasjes së Klajdi Bitrit vijon ende të deklarohet i pafajshëm, autoritetet italiane kanë kryer autopsinë mbi trupin e 23 vjeçarit të ndjerë.

Siç shkruan media italiane, Klajdi është qëlluar me pushkë uji, ndërsa shtiza i ka goditur mushkërinë dhe zemrën. Ka qenë një plagë që i ka marrë jetën në pak çaste e që nuk i ka lënë asnjë mundësi shpëtimi, shkruan media italiane duke iu referuar rezultateve të autopsisë.

Vellai i viktimes duke komunikuar me telefon ne ambientet e morgut ne Ankona, Itali

Tanimë hetuesit presin rezultatet për të vërtetuar nëse thellësia e plagës në trupin e të ndjerit, përputhet me fuqinë e pushkës së ujit. Ky mbetet një element i rëndësishëm hetimor që më tutje do të shërbejë në vërtetimin e krimit.

27 vjeçari me origjinë algjeriane (shtetas italian) akuzohet për vrasje me dashje në kushte të rënda dhe tanimë përfaqësohet nga një avokat mbrojtës. Njëlloj përfaqësimi me avokat është kryer dhe nga vëllai i të ndjerit, Xhuliano Bitri.

Lule ne vendin ku humbi jeten Klajdi Bitri

Il Resto del Carlino raporton se gjatë gjithë ditës së djeshme në ambientet pranë morgut janë barë dhjetëra njerëz që kanë shkuar të qëndrojnë pranë vëllait e të tjerë familjarëve të viktimës.

Në lidhje me shpenzimet funerare, bashkia e Lushnjes i është përgjigjur thirrjes së babait të Klajdit, i cili ditën e djeshme rrëfeu për median vendase se nuk i kishte mundësitë për të sjellë në Shqipëri trupin e të birit.

Ndërkohë vëllai i Klajdit, Xhuliano, hapi një Gofundme për të vëllanë. Në platformë janë mbledhur deri më tani afro 35 mijë euro.

 “Klajdi më bëri të mundur ardhjen në Ankona, më hapi dyert për një jetë të re, u bë babai im këtu në Itali e më lejoi të luaja sport… tani është momenti im të kujdesem për të”-shkruante Xhuliano 18 vjeçar.