Spanjë: 10 vjeçari i shpëton mrekullisht përmbytjeve, qëndroi gjithë natën duke u mbajtur në një pemë

Një fëmijë 10 vjeçar nga Spanja është shpëtuar nga autoritetet, pasi kishte qëndruar i kapur në një pemë prej afro 10 orësh për t’i shpëtuar vërshimeve të ujit që sollën përmbytje masive. Familja 4 anëtarëshe, burrë e grua, më një vajzë e një djalë, kishte shkuar në shtëpinë e tyre të pushimit në Aldea del Freno (në perëndim të Madridit). Zona atje u përfshi nga stuhia dhe reshjet masive. Shumë shpejt erdhën vërshime uji. Të alarmuar nga sasia e jashtëzakonshme e ujit, familja kishte arritur të ngjitej mbi tavanin e makinës, në momentin kur vërshimet i kanë marrë me vete. 10 vjeçari kishte mundur të kapej në një pemë aty pranë, e të qëndronte për afro 10 orë derisa u shpëtua nga autoritetet.

Në mëngjes, ekipet e shpëtimit arritën të gjejnë dhe nënën dhe motrën e 10 vjeçarit, ndërsa kryefamiljari vijon ende të jetë i humbur.

“Ai vogëlush i gjorë e kaloi natën duke u mbajtur në pemë”-tha Isabel Diaz Ayuso, Presidentja e regjionit të Madridit.

Si pasojë e përmbytjeve të ditëve të fundit në Spanjë, të paktën 3 persona kanë ndërruar jetë ndërsa 3 të tjerë nuk dihet se ku janë. Reshjet masive kanë regjistruar rekorde të reja në Spanjë, ndërsa lumenjtë janë fryrë duke “marrë përpara” rrugë e ura.