Pamje video, Greqia lindore përfshihet nga përmbytje masive, Volosi “mbulohet” në ujë

Pamje apokaliptike vijnë nga jug-lindja e Greqisë teksa qytete si Volosi, Larissa e Skiathos janë përfshirë nga përmbytje masive. Televizioni shtetëror ERT shkruan se zona jug-lindore e vendit po përballet me përmbytje ‘Biblike’ që deri më tani i kanë marrë jetën një personi.

Foto: “X”/@le_tavernier1

Në zonën bregdetare të Agios Ioannis Pelion një makinë është “përpirë” nga deti i trazuar.

Deri më tani autoritetet kanë raportuar për një jetë të humbur si pasojë e stuhisë “Daniel”. I ndjeri, një 42 vjeçar në Volos, kishte tentuar të kalonte me makinën e tij në një zonë të përmbytur e në momentin kur ka hapur derën e mjetit, rrjedha e ujit e ka marrë me vete. Së bashku me 42 vjeçarin ishte dhe i biri, i cili fatmirësisht është mirë.

Pikërisht në Volos, situata raportohet si më e rënda. Uji ka përmbytur dhjetëra ndërtesa e parkime, përfshi këtu edhe spitalin e qytetit. Mjekët atje janë detyruar të ndalojnë seancat e kemioterapisë për pacientët (të cilat ndodhen përgjithësisht në dhoma nëntokë).

Ndërkohë sipas Meteo.gr-s vetëm në zonën e Pelion kanë rënë brenda disa orëve afro 516 mm shi (1 mm shi, korrespondon me 1 litër ujë në një sipërfaqe prej 1 metri katror). Për të bërë krahasimin, në Athinë reshjet mesatare vjetore janë 400 mm.

Autoritetet ndërkohë kanë ngritur alarmin se në orët e  ditët në vijim një sërë qytetesh të tjera pritet të preken nga reshjet masive që do të sjellin përmbytje.

Burimi: Protothema dhe ERT/ Përshtati: FCH.al