Pamje, Stambolli e veri-perëndimi i Turqisë kaplohen nga përmbytjet, të paktën 5 viktima

Të paktën 5 persona kanë humbur jetën orët e fundit, teksa reshjet masive kanë sjellë përmbytje dhe vërshime në veriperëndim të Turqisë. Tre persona humbën jetën në provincën Kirklareli, pranë kufirit me Bullgarinë e Greqinë, kur shtëpitë e të ndjerëve janë përmbytur nga uji.

Në Stamboll po ashtu  reshjet masive sollën përmbytje, duke i marrë jetën të paktën 2 personave të tjerë. Autoritetet atje raportojnë se të paktën 31 persona të tjerë kanë marrë lëndime në distriktin e Basaksehir e Kucukcekmece në Stamboll.

Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya deklaroi se operacionet e kërkim shpëtimit po vijojnë ende për t’u ardhur në ndihmë familjeve të përmbytura.

Afro 125 kilogramë reshje shiu për metër katror ra në Stamboll brenda 6 orëve, një sasi reshjesh që përgjithësisht qyteti i pret brenda të gjithë muajit shtator.