Motori merr flakë pas përplasjes me makinën, humbja tragjike e 29 vjeçarit shqiptar në Itali

Motori ishte pasioni i tij i jetës, qëkur ishte fëmijë. Shpesh herë në rrjetin social dedikonte postime për mikun e tij të ndjerë, i cili kishte humbur jetën në një aksident me motor… e për fat të keq, njëlloj ndodhi edhe me Aldon. 29 vjeçari shqiptar ndërroi jetë tragjikisht në Italinë fqinje, njëlloj si miku i tij i ngushtë, në një aksident me motor.

Ishte mbrëmja e 7 shtatorit, kur Aldo Gjoka u përplas me një makinë në Torre Specchia të Leçes. Makina ishte e tipit ‘Jaguar’ dhe drejtohej nga një 44 vjeçar shqiptar. Si pasojë e përplasjes, makina e 44 vjeçarit u përplas me barrierën e rrugës, ndërsa motoristi 29 vjeçar përfundoi duke goditur murrin rrethues në një pronë private aty pranë. Motori i të riut mori flakë, ndërsa Aldo u shua.

Disa shoferë që kalonin aty pranë lajmëruan autoritetet dhe ambulancën. Orvatjet e mjekëve të urgjencës për të mbajtur gjallë Aldon qenë të kota, pasi i riu ndërroi jetë në vendin e ngjarjes si pasojë e lëndimeve të rënda që kishte marrë.

Drejtuesi i mjetit, po ashtu shqiptar, u dërgua në spital dhe u kryen testet alkokimike e toksikologjike. Në vendin e tragjedisë pak minuta pas aksidentit mbërritën disa prej miqve të Aldos. Në vendin e ngjarjes pak minuta pas aksidentit mbërritën miq e familjarë të të riut. E atje, raporton media italiane, skena të dhimbshme me miqtë e të afërmit që qanin. Në rrjetet sociale lajmi për largimin e parakohshëm të të riut u shpërnda me shpejtësi. Aldo Gjoka jetonte në Leçe me familjen e tij. Ishte i lidhur ngushtë me nënën e tij e pak javë më parë i kishte dedikuar nënës një postim të gjatë për rastin e ditëlindjes.

“Nuk arrij ta besoj dot”-shkruante një mik i 29 vjeçarit, teksa kujtonte sesi në vitin 2018 po në një aksident me motor humbi jetën një tjetër mik i tyre.