Kuqezinjtë sot luftojnë “kundër” historisë, si kanë qenë ndër dekada përballjet ndaj Polonisë

Këtë mbrëmje kuqezinjtë presin në “Air Albania” Poloninë. Një tjetër finale e madhe për kombëtaren tonë, e cila tenton të ruajë vendin e dytë në renditje, në kualifikueset për Euro 2024.

Por çfarë thonë shifrat dhe historia me përballjet e kombëtares sonë me atë të Polonisë.

E shkuara në këtë rast, nuk është në favorin tonë. Kuqezinjtë kanë zhvilluar 14 ndeshje me Poloninë, një kundërshtar jo pak i njohur për kombëtaren tonë. Por në këto 14 sfida, vetëm njëra ka qenë në favorin tonë. Dhe fitorja ka qenë në kuadër të një miqësoreje. Nga ana tjetër, Polonia ka arritur të fitojë plot 10 duele, ndërsa barazimet kanë qenë 3.

Fitorja jonë e vetme është shënuar plot 70 vite më parë, në vitin 1953. Golat në atë shënoheshin nga legjenda si Loro Boriçi e Refik Resmja.

Në tërësi Shqipëria ka humbur në te paktën 6 raste me rezultat minimal 1-0 nga polakët. Edhe përballja e parë me Poloninë në këto kualifikuese të Europianit, përfundoi në favor të kundërshtarëve (e vetmja humbje në fakt e kuqezinjve, në këtë Euro24).

Kësisoj këtë mbrëmje, Shqipëria “lufton kundër historisë”, në një prej momenteve të saj më të mira.