Shuhet në moshën 89 vjeçare aktori Lutfi Hoxha

Është ndarë nga jeta aktori i mirënjohur Lutfi Hoxha. Të gjithë dashamirësit e kinematografisë shqiptare e kujtojnë rolin e tij si babai i Tilit, në filmin e mirënjohur “Shoku ynë Tili”.

Por veç këtij roli, aktori ndjerë ka patur një sërë rolesh të tjera nëpër flma e teatër, atje ku nisi dhe rrugëtimin i tij artistik (në teatrin Aleksandër Moisiu në Durrës). Në fillimet e tij artistike Lutfi Hoxha i dha shpirt e karakter roleve të shumta teatrale.

Me ikjen e Hoxhës, largohet nga kjo botë xhevahiri i fundit i plejadës së artë të Teatrit të Durrësit. Lutfi Hoxha ishte një ndër themeluesit e veprimtarisë së këtij teatri, me mbi 100 role të luajtura. Ndërsa në afro 7 dekada jetë skenike, Hoxha kreu të paktën 17 role kinematografike.

 “Rrugicat që kërkonin diell”, “Tinguj Lufte”, “Pylli i lirisë”  janë vetëm disa prej filmave ku luajti aktori i ndjerë.