“Kemi vetëm Zotin” Historia e foshnjes që lindi pak minuta para rënies së tërmetit në Marok

Vogëlushja në foton e mëposhtme lindi veçse pak minuta para se toka të dridhej e t’i merrte jetën mbi 2100 personave në Marok. Vajza ende nuk e ka një emër, ndërsa e ëma e quajtur Kadixha aktualisht po jeton në një tendë në anë të rrugës.

Nëna ndodhej në spital e sapo kishte marrë në krahë të bijën kur lëkundjet e tërmetit shkundën vendin të premten në darkë. Falë Zotit, vogëlushja dhe e ëma nuk morën lëndime, por u detyruan të dalin nga spitali veçse pak orë pas lindjes. Kjo për shkakun se godina ishte dëmtuar dhe autoritetet atje ia kishin frikë një pasgoditje që mund të sillte pasoja të rënda.

“Na thanë të largoheshim, kishin frikë nga pasgoditjet.”-tregoi nëna.

Në orët e para të së shtunës, gruaja së bashku me foshnjen e sapoardhur në jetë dhe të shoqin, tentuan të marrin një taksi për t’u nisur nga Marrakeshi drejt banesës së tyre në zonën malore në Taddart… vetëm për të zbuluar pak minuta më vonë se të shkuarit në banesë do të ishte e pamundur rrëshqitjet e dherave (prej tërmeti) kishin bllokuar rrugët. Që nga e premtja, familja jeton në një tendë në anë të rrugës.

“Ndihmë nuk kemi marrë nga asnjë. Disa njerëz na ndihmuan me disa çarçafë e batanije për t’u mbuluar. Ne kemi vetëm Zotin”-tha nëna e vogëlushes.

Burimi: BBC/ Përshtati me disa shkurtime: FCH.al