Pamje, të paktën 1 mijë viktima e 10 mijë të humbur si pasojë e përmbytjeve në Libi

Të paktën 10 mijë veta rezultojnë të humbur këtë të martë në Libinë e prekur rëndë nga përmbytjet e sjella prej stuhisë ‘Daniel’. Reshjet masive të shiut shkaktuan madje edhe çarjen e një dige, ndërsa uji ka mbuluar çerekun e qytetit të Derna-s, raporton Reuters.

Deri më tani të paktën 1 mijë persona kanë humbur jetën vetëm në qytetin e Dernas, ndërsa autoritetet thonë se bilanci i viktimave pritet të jetë i lartë.

Derna, një qytet bregdetar me afro 125 mijë banorë, është kthyer në pjesë të tij në rrënoja, me rrugë të shkatërruara e shtëpi të përmbytura.

“Trupat (të pajetë) i gjen kudo, në det, në godina… situata është katastrofike. Kemi rikuperuar mbi 1000 trupa të pajetë. Nuk e ekzagjeroj kur ju them se 25% e qytetit është zhdukur. Dhjetëra ndërtesa janë rrëzuar”-tha për Reuters Hochem Abu Chkiouat, Ministri i Aviacionit Civil atje.

Ministri shtoi më vonë në një intervistë për Al Jazeera se pritshmëritë ishin se numri total i jetëve të humbura do t’i kalojë 2500 persona.

Në qytetin e Dernas kalon një lumë (sezonal) që zbret nga zonat malore më në jug. Diga e ndërtuar në këtë zonë parandalonte përmbytjet. Dëmtimi i digës solli dhe përmbytjet masive në qytet (uji ka mbërritur deri në lartësi 3 metër).

Veç Dernas së goditur rëndë, përmbytje pati edhe në qytetet e tjera kryesore si  Bengazi, Susa dhe Bayda.

Kujtojmë se Libia është e ndarë në një konflikt të brendshëm që pasoi vrasjen e kolonel Muammar Gaddafi-t (2011). Deri më tani shtete si Turqia, Italia e Irani kanë dhënë kontribute në ndihma për Libinë