Pamjet, si u shkaktua zjarri në pallatin 10 katësh në Tiranë… fatmirësisht nuk pati të lënduar

Një zjarr i përmasave të mëdha kaploi katet e mësipërme të një pallati të ri në rrugën “Sali Butka” në Tiranë.

Fatmirësisht të gjithë banorët kanë mundur të dalin në kohë dhe asnjë prej tyre nuk ka marrë lëndime nga zjarri apo tymi.

Zjarrfikësit shkuan në vendin e ngjarjes, por për fikjen e zjarrit u deshën disa orë punë pasi flakët u përhapën në disa kate të pallatit dhe në një pjesë të godinës ngjitur.

Në lidhje me ngjarjen foli drejtori i Zjarrfikëses së Tiranës Shkëlqim Goxhaj i cili tha se zjarri është shtrirë në pjesën e jashtme të objektit dhe dëmet më të mëdha janë shkaktuara në fasadë e hapësirat e apartamenteve pranë saj. Kjo ka qenë dhe arsyeja sesi flakët kanë mundur të përhapen në disa kate, besohet të lehtësuara këtu edhe nga materialet (polisterol) të fasadës.

Deri më tani nuk ka një shkak zyrtar në lidhje me atë se çfarë e shkaktoi zjarrin, por duket se flakët kanë nisur në katin e sipërm, për të zbritur mandej më poshtë.

“Në këto momente nuk mund të flasim për shkakun e zjarrit dhe rezultatet përfundimtare. Do jemi të gjithë këtu deri në përcaktimin e shkakut të zjarrit dhe deri sa të sigurohemi që nuk kemi humbje jete qytetarësh. Zjarri ka qenë i shtrirë në pjesën e jashtme të objektit, dyert janë të blinduara. Të dëmtuara janë vetëm banesat që janë hapur dritaret.

Është dëmtuar fasada e objektit. Zjarret në pallate në Tiranë ndodhin në një banesë dhe në 0.5% të rasteve kur zjarri ka kaluar nga një banesë në tjetër. Ky rast ishte i rrallë dhe ka bërë që këtu të mblidhen të gjithë punonjësit e zjarrfikësit, Tiranës, Vorës dhe Kamzës. Është dashur një kohë e gjatë për të vënë në kontroll. Fasada e objektit e ka përhapur zjarrin. Nuk kemi zjarrfikës të dëmtuar. Situata e zjarrit është nën kontroll. Zjarri ka qenë në katin e dytë të objektit dhe në pjesën e sipërme, por kjo mbetet për tu parë sesi është përhapur zjarri.”-deklaroi Hoxha.