Përmbytjet në Libi, kryebashkiaku i Derna-s: Numri i viktimave mund të shkojë deri në 20,000 persona

Kanë kaluar tashmë 5 ditë nga përmbytjet masive që përjetoi Libia dhe duket se numri i viktimave po njeh vetëm rritje. Veçanërisht në qytetin e Derna-s, atje ku numri i jetëve të humbura është katastrofik. Sipas të dhënave që ka “Gjysëmhëna e Kuqe” janë identifikuar deri më tani 11 mijë jetë të humbura. Por shifra më e dhimbshme është ajo që e deklaroi kryebashkiaku i Derna-s i cili tha se me gjasë numri i jetëve të humbura i kalon 20,000 vetë.

Reshje apokaliptike

Në disa zona të Libiës, totali i reshjeve në veçse 24 orë, i kalonte reshjet mesatare vjetore të vendit. Në Libi nuk është diçka e pazakontë që sasia e reshjeve vjetore të akumulohet brenda një kohe të shkurtër, por kësaj here me ardhjen e stuhisë ‘Daniel”, panorama ndryshoi. Pikërisht për shkak të stuhisë, pasojat qenë katastrofike.

Cilat ishin shkaqet e përmbytjeve katastrofike

Dëmët më të rënda nga përmbytjet e vërshimet e ujit ndodhën në lindje të Libisë, në një qyteti me afro 150,000 banorë (Derna). Në qytet përgjithësisht ka një sasi prej 1.5 mm resjesh në shtator, ndërsa këtë herë ka rënë një sasi prej 400 mm reshjesh brenda 24 orëve. Kjo shifër është jashtëzakonisht e madhe dhe intensifikoi pasojat katastrofike atje.

Dy diga u shembën

Dy diga në lumin Ëadi Derna, i cili kalon përmes qytetit kolapsuan, duke bërë që prurjet e ujit të ishin të jashtëzakonshme. Ekspertët thonë se është ende herët për të zbuluar nëse digat u përmbytën nga reshjet e mëdha prej stuhisë, apo nëse kushtet e tyre strukturore ishin jashtë standardit.

Mijëra trupa po nxirren nga deti

Gjysëmhëna e Kuqe tregoi se aktualisht vijon ende punën për nxjerrjen e trupave të pajetë. Mijëra prej tyre kanë dalë në det e madje disa trupa janë gjetur deri në 60 kilometër larg qytetit të Derna-s. Salem al-Naas tha se “si pasojë e erës shumë viktima janë larguar… i kemi parë me sytë tanë. Ende po nxjerrim trupa të pajetë nga rrënojat e shtëpitë e shkatërruara”

Burimi: BBC/ Përshtati: FCH.al