Policia ndalon për 48 orë edukatoret e dyshuara si autore të dhunimit të një 3 vjeçari në Fushë- Kosovë

Policia e Kosovës ka njoftuar se fundmi se ka vendosur në masë ndalimi dy punonjëse të një çerdhe në Fushë- Kosovë, atje ku dyshohet se gratë në moshat 64 e 56 vjeçe kanë ushtruar dhunë ndaj një fëmije 3 vjeçar.

Rasti tërhoqi vëmendje të madhe publike në Kosovë, fill pas publikimit të një videoje nga ana e një prej familjarëve të të miturit.

Njoftimi i plotë i policisë:

Informacion shtesë ndërlidhur me incidentin:

Pas përfundimit të fazës preliminare të veprimeve hetimore, me rekomandimin e prokurorit të shtetit, policia inicioi një hetim në drejtim të veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, dhe me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit ndaj të dyshuarave;

• N. M, femër, 64 vjeç, shtetase e Republikës së Kosovës, si dhe

• ​N. H, femër, 56 vjeç, shtetase e Republikës së Kosovës, u shqiptua masa e ndalimit prej 48 orësh.

Prishtinë, 19 shtator 2023 –

Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës është informuar lidhur me shqetësimet e ngritura në publik pas pamjeve të publikuara ndërlidhur me pretendimet për sjellje të papërshtatshme, në kundërshtim me etiken, apo me nuanca dhune, nga ana e disa edukatoreve në një kopsht fëmijësh në Fushë Kosovë.

Pas publikimit të pamjeve të tilla ne kemi marrë seriozisht pretendimet e ngritura dhe menjëherë kemi filluar një hetim preliminar për çështjen.

Aktualisht zyrtarët policor po vijojnë punën për mbledhjen e të gjitha provave që janë të arritshme, intervistimin e personave që në çfarëdo rrethane dhe çfarëdo cilësie kanë mundur të jenë të implikuar në rast, po shqyrtohen raportet mjekësore, pamjet e publikuara si dhe po analizohen ato.

Veprimet policore po koordinohen me prokurorin e shtetit si dhe po bashkëpunojmë ngushtë me të gjitha agjencitë për mbrojtjen e fëmijëve dhe autoritet e tjera përkatëse.

Ndonëse e kuptojmë interesin e publikut për çështjen, si dhe shqetësimin e komunitetit e veçmas prindërve dhe kujdestarëve, ne duhet të jemi të vëmendshëm për të balancuar nevojën për transparencë me nevojën për të mbrojtur integritetin e hetimit.

Për ne siguria dhe mirëqenia e fëmijëve është ndër prioritetet kryesore por njëkohësisht jemi të përkushtuar për të kryer një hetim profesional dhe të paanshëm, për të zbardhur të vërtetën dhe për të ndërmarrë veprimet e duhura bazuar në gjetjet e hetimit.

Vlerësojmë komunitetin për mirëkuptimin dhe sigurojmë që ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje që vendi ynë të mbetet i sigurt për të gjithë.