Hulumtimi, 98% e qytetarëve në Europë thithin ajër të ndotur, si rezultojnë qytetet e Shqipërisë

Nivelet e larta të ndotjes në ajër duket se janë tepër serioze dhe një ndër faktorët kryesore për të paktën 400 mijë vdekje në vit.

Ky është konkluzioni në të cilin ka dalë një hulumtim i kryer nga e media britanike “The Guardian”, e cila përmes ekspertëve të fushës, ka përpiluar një hartë të ndotjes së ajrit në Europë. (në të dhënat e publikuara për Ballkanin, mungojnë ato në Kosovë, Mali Zi dhe Boshnje dhe Hercegovinë).

“Kjo është një krizë serioze” tha Roel Vermeulen, profesor i epidemiologjisë mjedisore në Universitetin e Utrehtit dhe personi i cili drejtoi ekipin e studiuesve që kryen analizën e të dhënave.

“Ajo që shohim është se të gjithë në Europë, po thithin ajër të dëmshmëm”

Shumica dërrmuese e vendeve europiane i kalojnë me të paktën dyfish normat e vendosura nga Organizata Botërore e Shëndetit. Veçanërisht kur fjala vjen për një lëndë toksike si PM2.5, e cila vjen si rezultat i djegies së hidrokarbureve.

Shqipëria

Shqipëria po ashtu është një ndër vendet e ndotura, me qytete si Tirana, Elbasani, Kukësi e Korça, të cilat rezultojnë të kenë nivele më shumë se 4 herë më të larta se norma. Sipas hulumtimit, Maqedonia e Veriut rezulton të jetë me nivelet më të larta të ndotjes së ajrit në rajon.

Për të parë në detaje çdo qytet përmes hartës interaktive, mund të klikoni KËTU

Çfarë është PM2.5

PM2.5 janë molekula me diametër më të vogël se 2.5 micrometër. Molekulat janë aq të vogla saqë mund të penetrojnë në mushkëritë tona e në gjak, duke shkaktuar dëme serioze në shëndet. PM2.5 vjen si pasojë e djegies së hidrokarbureve përmes gjenerimit të energjisë, e makinave. PM2.5 mund të formojë të tjera reaksione kimike të rrezikshme në ajër, kur “bashkohet” me të tjera elemente ndotës.

Një numër i lartë studimesh kanë treguar se këto molekula janë përgjegjëse për një seri problemesh shëndetësore, duke nisur nga sëmundjet e mushkërive, zemrës, trurit e lindjeve me probleme… deri tek sëmundjet vdekjeprurëse si kanceri. Standardi aktual i OBSH-së në lidhje me koncentrimin e këtij elementi të rrezikshëm është që koncentrimi i kësaj sasie në një metër kubik, nuk duhet t’i kalojë 5 mikrogramë.