Si ndodhi plagosja e oficerit të “Shqiponjave” në Tiranë, flet Vocaj: Autori i rrezikshëm dhe me shenja depresioni

Ky është oficeri i forcave “Shqiponja” Edlir Alleshi, i cili mbeti i plagosur mbrëmjen e kësaj të mërkure në zonën e ‘Kinostudios’ në kryeqytet. I riu ishte pjesë e patrullës që ishte vënë në ndjekje të një personi të armatosur, i identifikuar tashmë si Klered Bozhani.

Me të pikasur forcat e rendit, 42 vjeçari ka qëlluar në drejtim të tyre. Dy prej plumbave kanë kapur oficerin Alleshi, i cili është dërguar në spital. Fatmirësisht pas ndërhyrjes kirurgjikale, oficeri ka dalë jashtë rrezikut për jetën.

Kreu i policisë së Tiranës Tonin Vocaj doli para mediave për t’u deklaruar mbi rastin. Vocaj shtoi se patrulla e shërbimit “Shqiponja” ka ndjekur një person të dyshuar i cili me të parë policinë është larguar menjëherë. Vocaj theksoi se autori është i rrezikshëm, i armatosur dhe ka shenja të theksuara të depresionit.

“Në orën 18:55 në rrugën Hysen Xhura një patrullë e shërbimit Shqiponja duke patrulluar në sektorin e saj ka konstatuar një qytetar që sapo ka parë policinë është larguar në mënyrë të dyshimtë. Ata e kanë ndjekur dhe ai ka hyrë në një hyrje pallati që përkon pak a shumë me shkallën e shtëpisë së tij. Për pasojë efektivi është plagosur, ai ka një dëmtim me armë zjarri. Është jashtë rreziku për jetën. Shërbimet e policisë, RENEA dhe gjithë forcat e policisë të gjithë republikës janë mobiliuar për kapjen e autorit, Klered Bozhanaj, 42 vjeç. Theksojmë se është i armatosur dhe ka shenja të theksuara të depresionit. Policia ve në dispozicion 20 mijë euro për çdo informacion të vlefshëm që mund të çojë në kapjen e autorit”, tha kreu i policisë.

Njoftimi

Në lagjen “Kinostudio”, në rrugën “Hysen Xhura”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” pasi kanë marrë informacion për një person që qarkullonte me armë zjarri, janë vënë në ndjekje të personit të dyshuar.

Gjatë ndjekjes, personi i armatosur ka hapur zjarr në drejtim të Forcave “Shqiponja”, dhe si pasojë është plagosur një prej efektivëve, inspektor Edlir Alleshi, i cili është dërguar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore.

Në ndjekje të personit të armatosur janë venë shërbimet e tjera të Forcave “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme, dhe Njësitë Speciale Operacionale, janë bllokuar hyrje-daljet e të gjitha rrugëve, dhe vijon kontrolli për kapjen e personit të armatosur.