Priste të festonte 33 vjetorin, i merr jetën komshiu pas debateve për parkimin… si ndodhi ngjarja e rëndë në Shkodër

Një krim i rëndë ka tronditur mbrëmë Shkodrën. Jeta e një 33 vjeçari të quajtur Valter Fierza është këputur në mes, pak orë para se ai të festonte ditëlindjen. Gjithçka ka nisur pas një sherri për një vend parkimi.

Ishte ora afro 22:00 kur vëllai i viktimës Kolë Fierza debatoi me autorin e dyshuar të ngjarjes Klodian Mhilli. Debati ka nisur fillimisht në një lokal afër banesave (palët ishin komshinj) në fshatin Hot i Ri. Vëllai i viktimës i ka kërkuar autorit të dyshuar që të lëvizë makinën pasi kishte bllokuar rrugën atje, duke qenë se vëllezërit Fierza prisnin edhe të festonin ditëlindjen e Valterit.

Pas debatit në vendngjarje është afruar me automjet dhe vetë Valter Fierza e në ato çaste ai dyshohet të jetë qëlluar me automatik duke mbetur i vdekur në vend.

Pas krimit, autori i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes. Forca të shumta policie rrethuan zonën, ndërsa në kërkim u shpall autori dyshuar, i vëllai e disa kushërinj të tij. Në vendin e ngjarjes u gjetën një pistoletë e 3 gëzhoja, por jo arma me të cilën u krye krimi.

I ndjeri 33 vjeçar njihej në zonën atje si një njeri i qetë dhe që nuk shkaktonte probleme. Viktima e autori dyshuar ishin komshinj dhe njiheshin prej vitesh. Rezulton se kjo nuk ishte hera e parë që palët kishin debatuar për çështjen e parkimit të makinave, duke hedhur ndaj njëri tjetrit për bllokim të rrugës.

Hetimet vijojnë për rastin, ndërsa së fundmi një prej 4 personave të shpallur në kërkim, është arrestuar nga policia. Fjala është për Paolo Mhillin, vëllain e autorit të dyshuar.