Fier: Nëna ankohet pse i dhunon të birin… mësuesja 48 vjeçare i ‘përvishet’ edhe gruas me shuplaka

Një mësuese në Fier është procecuar penalisht nga policia, pas një ngjarje me të vërtetë të pazakontë, për më tepër e filmuar. Nëna e një prej fëmijëve që mësonte  mësuesja 48 vjeçare, i është ankuar kësaj të fundit se përse e godet djalin. Gruaja ka pretenduar se mësuesja me inicialet V.C e godiste me shuplakë djalin sa herë që ai nuk kishte bërë detyrat.

Gjatë përballjes me mësuesen, 48 vjeçaja është treguar agresive edhe ndaj nënës së fëmijës, duke e qëlluar edhe këtë të fundit me shuplakë.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier, pas publikimit të pamjeve filmike, kryen veprimet hetimore për këtë rast dhe në vijim të tyre referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen V. C., 48 vjeçe, banuese në Fier, me detyrë mësuese e një shkolle 9-vjeçare, për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, pasi për motive të dobëta, ka gjuajtur me pëllëmbë një shtetase 31 vjeçe, nënë e një nxënësi që mëson në këtë shkollë.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.”-njoftoi policia.