Greqi: E ‘burgosur’ me vajzën prej 2 vitesh, fqinjët ‘mobilizohen’ për të shpëtuar shqiptaren nga dhuna e të shoqit

Një ngjarje dramatike është bërë publike në një fshat të Volosit në Greqinë fqinje, atje ku një 28 vjeçar shqiptar është ndaluar në kohë nga fqinjët e tij, gjatë tentativës për t’i marrë jetën të shoqes duke e mbytur me duar. Media greke ka sjellë detaje me të vërtetë të dhimbshme, sesi 28 vjeçari i identifikuar si Aurel Kurti, dhunonte të shoqen thuajse çdo ditë e se për 2 vite me radhë, e kishte ‘burgosur’ në shtëpi së bashku me vajzën 2 vjeçe.

Të bërtiturat e të qarat e fundit të fëmijës, kanë bërë që e gjithë lagja të mobilizohej për t’i shkuar në ndihmë 22 vjeçares dhe vajzës së saj. Fqinjët kanë mundur të hyjnë brenda, ndërsa 28 vjeçari ka tentuar të arratiset. Pavarësisht orvatjes, 28 vjeçari është kapur dhe neutralizuar nga fqinjët, të cilët e kanë mbajtur të bllokuar shqiptarin derisa në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia.

Media greke shkruan se gruaja është gjetur e gjakosur dhe me mavijosje të rënda në qafë. Siç thekson më tutje media atje, janë mësuar detaje edhe më të kobshme mbi dhunën që ka duruar e reja.

Ajo ka deklaruar se në kohën kur mësuan për gjininë e fëmijës ajo është dhunuar barbarisht nga i shoqi, pasi ky i fundit nuk donte vajzë. 22 vjeçarja shtoi më tutje se për 5 muaj pas ardhjes në jetë të vajzës, ajo ka qëndruar e mbyllur në shtëpi, madje me dritare e dyer të mbyllura. Vetëm më tutje është “lejuar” të dalë në oborr. Nëna e re e cila tanimë ndodhet në një instutucion social së bashku me të bijën, tregoi se për afro 2 vite ajo ka qenë e ‘burgosur’, e madje në plot raste, shumë pranë vdekjes.

Jam rrahur rëndë e shpesh herë kam qenë pranë vdekjes. Ai më kërcënonte se nëse largohesha në Shqipëri, ai do të vinte dhe do të vriste prindërit e mi”-mësohet të ketë thënë 22 vjeçarja gjatë një deklarimi për autoritetet.

28 vjeçari përballet me një seri akuzash të rënda të cilat nëse vërtetohen, do t’i kushtojnë vite e vite kohë burgimi. Çifti ishte martuar (me shkuesi) afro 4 vite më parë dhe që prej 2021 ishin vendosur në Volos, ku 28 vjeçari punonte në fushën e ndërtimit.