Policia e Kosovës e konfirmon: Shkon në 3 numri i sulmuesve të vrarë, njëri është arrestuar

Përmes një komunikate për shtyp, policia e Kosovës ka njoftuar se janë vrarë edhe dy persona të tjerë nga grupi prej të paktën 30 terroristësh që ndërhynë në territorin e republikës së Kosovës e i morën jetën një oficeri të policisë atje, toger Afrim Bunjakut. Gjithashtu policia konfirmon se një nga agresorët tashmë është arrestuar.

Komunikata:

Në zonën e fshatit Banjska situata e sigurisë vazhdon të qëndrojë e tensionuar, po ashtu sulmet me armë zjarri ndaj njësiteve policore po vazhdojnë në intensitet të njëjtë, varësisht nga lëvizjet e grupeve kriminale.

Veprimet policore po realizohen sipas planifikimeve dhe zhvillimeve në terren, duke u përgjigjur në vetëmbrojtje ndaj sulmeve të adresuara ndaj zyrtarëve policorë, të cilëve po iu rrezikohet jeta e tyre e drejtpërdrejtë.

Sipas informatave zyrtare nga terreni gjatë shkëmbimit të zjarrit konfirmohet vrasja edhe e dy sulmuesve të tjerë, të cilët kanë qenë të maskuar, të uniformuar dhe të armatosur rëndë, e po ashtu konfirmohet edhe arrestimi i një sulmuesi të uniformuar dhe të armatosur. Si pasojë e sulmeve një zyrtar policor i PK-së ka pësuar lëndime kryesisht të lehta.

Gjatë veprimeve policore në një lokacion banimi i cili është përdorur nga sulmuesit, janë gjetur pajisje logjistike, mjete të dyshuara ushtarake, uniforma ushtarake si arme dhe municion të kalibrave të ndryshëm.

Po ashtu njësitet policore gjatë ushtrimit të pikë kontrollit rutinë të automjeteve, në zonën e fshatit Rudare ka ndaluar katër persona të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve, të cilët dyshohet se ndërlidhen me grupet kriminale, ku të gjitha veprimet e mëtejme ndaj tyre do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.