Tiranë: I shiti një bombol me helium 28-vjeçares, e reja përfundon në spital, në kërkim 23 vjeçari

Një 23 vjeçar është shpallur në kërkim nga policia, pasi i shiti një bombul me lëndë kimike helium (kontrabandë) një 28 vjeçareje, e cila pas konsumimit të lëndës përfundoi në spital. 28 vjeçarja e kishte blerë bombulën në tabakinon e 23 vjeçarit.

 “Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e të gjitha rasteve të paligjshmërisë, bazuar dhe në kallëzimin e depozituar nga një shtetas, se në një tabakino në afërsi të stadiumit “Air Albania”, vajza e tij kishte blerë një bombol me lëndë kimike helium, dhe pas konsumimit të saj ishte dërguar në spital, menjëherë kanë organizuar punën për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës dhe kanë ushtruar kontroll në adresën e dhënë.

Si rezultat, gjatë kontrollit në tabakinon e shtetasit K. K., 23 vjeç, u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 2 bombola me lëndë kimike helium.

Në vijim të veprimeve nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. P., 53 vjeç, shitës në tabakino, si dhe u shpall në kërkim shtetasi K. K., 23 vjeç, pronari i tabakinos.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.”-njoftoi policia.