Sveçla për AP-në: Po hetohet përfshirja e mundshme ruse në sulmin terrorist në Banjskë

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka dhënë një intervistë për Associated Press (AP), nga ku ka deklaruar se Kosova po e heton përfshirjen e mundshme të Rusisë në sulmin terrorist ndaj policisë në Banjskë të Zveçanit.

 “Ajo çka e dimë sigurt është se [sulmuesit] erdhën nga Serbia. Disa prej tyre janë serbë të Kosovës, që kanë shtetësi të dyfishtë – të Kosovës dhe Serbisë – dhe sipas informacioneve nga inteligjenca jonë, ata ishin trajnuar në kampet në Serbi. Kemi gjetur disa dokumente që na bëjnë të dyshojmë se ka pasur individë nga Rusia po ashtu”, tha ai.

Sveçla tha se duke u bazuar në dëshmitë e mbledhura (nga të arrestuarit nga grupi terrorist) deri më tani, ka të dhëna se disa prej terroristëve mund të kenë ardhur nga sektorë të lartë të sigurisë serbe, ose edhe direkt nga Rusia.

“As anëtarët e grupit që u arrestuan nuk e dinin se kush ishin ata”, tha ai. “Pra, ata ose janë zyrtarë të lartë të sektorit të sigurisë së Serbisë, ose kanë ardhur direkt nga Rusia”.

Sipas Ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, duket se qëllimi i operacionit terrorist ka qenë marrja nën kontroll e veriut të vendit.

“Ata kishin mbi 100 uniforma. Ata po planifikonin që të rekrutonin më shumë persona brenda [komuniteteve] ku jetojnë serbët… Institucionet e Kosovës më pas do të duhej të përballeshin me disa qindra terroristë, sipas skenarit që ata kishin planifikuar”.

 “Nuk kemi përleshje, por kemi informacione se trajnimi i terroristëve të tillë po vazhdon në Serbi… Në Kosovë ka ende persona që janë pjesë e këtij grupi”, tha Sveçla për AP-në.

Aktualisht, katër persona janë të arrestuar për ngjarjet në Banjskë, teksa Policia ka ekspozuar më 25 shtator armë dhe pajisje të tjera që ka thënë se janë konfiskuar në këtë fshat.