Itali: 36 vjeçarja shqiptare gjendet e pajetë nga dy fëmijët, i dyshuari kryesor i vrasjes i shoqi

“Vrapo, mami ka vdekur” Kështu shkruajnë mediat italiane për thirrjen që kanë lëshuar fëmijët e mitur të një 36 vjeçareje shqiptare, e cila u ekzekutua me armë disa metra larg shtëpisë së saj në Castelfiorentino të Italisë fqinje.

Klodiana Vefa ishte në proces divorci me të shoqin, i cili dyshohet të jetë autori i ngjarjes së rëndë. Kanë qenë pikërisht dy fëmijët e çiftit që kanë gjetur të ëmën pa shenja jetë në mes të rrugës, të moshave 14 e 17 vjeç.

Autori i dyshuar ndërkohë është në arrati, teksa karabinierët e kanë shpallur në kërkim dhe kanë ngritur një seri me postoblloqe për ta kapur. Bashkë me autorin e dyshuar të krimit, njëlloj dhe arma e përdorur nuk është gjetur.

36 vjeçarja e ndjerë, nënë e dy fëmijëve, jetonte prej 17 vitesh në Itali dhe punonte si kamariere në një restorant të zonës. Mbrëmjen e djeshme (e enjte), dyshohet se mes të ndjerës dhe të dyshuarit kryesor ka patur një debat të fortë, i cili mandej ka rezultuar në tragjedinë e vrasjes së 38 vjeçares. Në trupin e Klodianës u gjetën 3 plumba, njëri prej të cilëve ka rezultuar fatal për të renë.

Media italiane shkruan se shkak i vrasjes mendohet të ketë qenë xhelozia e bashkëshortit të të ndjerës, edhe pse kjo e fundit nuk kishte dashur kurrë ta denonconte ish-burrin.

Një mikeshë e Klodianës, po ashtu shqiptare, tregoi për median italiane se I dyshuari kryesor shpesh herë kishte ushtruar dhunë të rëndë ndaj 38 vjeçares.

“Ai ushtronte dhunë të fortë fizike dhe psikologjike. Ajo ishte gjithmonë me humor dhe buzëqesur, por ndryshoi plotësisht pas problemeve që i shkaktonte bashkëshorti. Ai njeri ishte vërtet i frikshëm, por Klodiana nuk e denoncoi kurrë atë dhe kjo zgjati për një kohë të gjatë. Nuk e di pse pranoi ta takonte, këtë nuk duhet ta bënte kurrë. Ai kishte filluar një jetë të re, kishte një grua tjetër. Nuk e kuptoj se çfarë e shtyu ta bënte këtë krim, ishte një ekzekutim. Ata fëmijë mbetën vetëm, si do të mbijetojnë nga kjo traumë”, tha gruaja për LaPresse.