Radoiçiç mori autorësinë për sulmin në Banjskë, NATO-ja shton numrin e trupave në veri të Kosovës

Edhe pse të shtënat tashmë kanë reshtur, duket se situata në veriun e Kosovës vijon të jetë tepër e tensionuar dhe në vëmendje të një sërë faktorësh, së fundmi NATO-s. Përmes një komunikate për shtyp, është lajmëruar sërish shtimi i forcave të KFOR-it në veri. Vendimi është marrë në Këshillin e Altantikut të Veriut, ku në qendër të diskutimeve ka qenë situata në Kosovë.

“Që nga maji, ne kemi përmirësuar praninë dhe qëndrimin e KFOR-it. Vetëm dje Këshilli i Atlantikut të Veriut, autorizoi forca shtesë për të adresuar situatën aktuale.”-thuhej ndër të tjera në komunikatë.

Po këtë të premte, një tjetër lajm mori vëmendjen e të gjitha mediave, pasi Milan Radoiçiç, i filmuar si një prej pjesëmarrëve në grupin terrorist në Banjskë, pranoi se ai dhe vetëm ai ishte përgjegjësi i sulmit ku humbi jetën heroi i Kosovës Afrim Bunjaku.

E teksa Kosova po mbledh edhe më shumë të dhëna për përfshirjen e Beogradit e madje Moskës në aktin terrorist të 24 shtatorit, këtë të premte në skenë doli Milan Radoiçiç.

Përmes avokatit të tij Goran Petronijeviç (ish gjykatës, i njohur si personi që dënoi 150 kosovarë me 1600 vite burgim për dyshime të ‘kryerjes së terrorizmit’) Radoiçiç pranoi se ai dhe vetëm ai ishte përgjegjësi i sulmit në Banjskë. Radoiçiç e konsideroi “aksidentale” vrasjen e heroit të Kosovës Afrim Bunjaku e madje u kujdes të na tregonte se Serbia zyrtare, thjesht nuk ishte në dijeni të orvatjes së tij për të “çliruar” popullin serb në Kosovë…një pretendim i tillë, është i vëshirë të besohet.

 “Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i popullit serb që t’i rezistojë terrorit të regjimit të Kurtit, për të mbrojtur popullin tonë që çdo ditë i nënshtrohej atij terrori dhe për të realizuar ëndrrën për lirinë e popullit tim në veri të Kosovës. Kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër okupatorit dhe akti nuk ka të bëjë me aktivitetet e mëparshme politike. Nuk kam njoftuar askënd nga autoritetet e Republikës së Serbisë, as strukturat politike lokale nga veriu i Kosovës”, thuhet në letrën e Radoiçiç.