Sulm terrorist në Ankara, dy përgjegjësit humbin jetën, dy oficerë plagosen… flet Presidenti Erdogan

Një shpërthim i fuqishëm jashtë ambienteve të  Ministrisë së Brendshme të Turqisë ka ndodhur këtë paradite në Ankara, ndërsa autoritetet atje e konsideruan një sulm terrorist.

Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya tregoi se dy persona kanë kryer sulmin terrorist, duke përdorur si bombë një automjet me të cilin kishin udhëtuar në Ankara. Dy oficerë policie mbetën të plagosur si pasojë e shpërthimit.

Po sipas Ministrit turk të Brendshëm, një prej terroristëve shpërtheu veten së bashku me automjetin, ndërsa tjetri tashmë është asgjësuar.

Shpërthimi ndodhi pak orë para mbledhjes së parlamentit turk.

Një zyrtar i lartë turk tregoi për Reuters se terroristët e kishin vjedhur makinën që përdorën si bombë, e se madje e kishin vrarë shoferin e automjetit gjatë grabitjes në Kayseri, një qytet 260 km larg nga Ankaraja.

Sipas asaj që raportuan fillimisht mediat vendase, në zonën ku ndodhi ngjarja, pas shpërthimit janë dëgjuar një sërë të shtënash me armë. Policia e Ankarasë tha se po kryen “shpërthime të kontrolluara” në “bagazhe të dyshimta” në zonë.

Deri më tani askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist, ndërsa Presidenti i Turqisë Erdogan ka folur për herë të parë pak minuta më parë.

“Ngjarja e këtij mëngjesi, ku dy kriminelë u neutralizuan falë ndërhyrjes në kohë të policisë sonë, ishte orvatja e fundit e terrorizmit. Ata që tentuan të shkatërrojnë paqen e stabilitetin nuk do t’ja arrijnë qëllimit, kurrë…”-tha Erdogan, duke shtuar më tutje se “njëlloj siç orgnizata FETO nuk do të ringjallet më kurrë në këtë vend, nuk është e mundshme që organizata të ngjashme të mund të kryejnë tradhëti të ngjashme”