Prej mëse 3 muajsh në këtë inkubator… mes jetës dhe vdekjes. Kjo ishte historia e dhimbshme e Melisës, vogëlushes 3 muajshe. Nëna e saj Kristjana prej mëse 90 ditësh derdhte lot agonie për të bijën, ëngjëllit që kishte 5 vite që e priste të vinte në krahët e saj.
Por Melisa nuk mundi të vijë dot në krahët e nënës… ajo mbylli sytë dhe u rrit në këtë inkubator.
Por sot, është një ditë shprese. Një moment për t’u gëzuar. Sot Melisa po del nga ky inkubator, streha e saj e vogël që i falte disi siguri. Sot ky ëngjëll i vogël, po niset për t’u kuruar në një spital të specializuar për fëmijë në Italinë fqinje.
E këto momente, janë me të vërtetë domethënëse. Me kujdes mjekë e infermierë lëvizin vogëlushen nga inkubatori ku qëndroi për 3 muaj. Dyert u hapën, e kjo falë bamirësisë së shqiptarëve.
Mijëra e mijëra njerëz që dhanë diçka nga vetja, për të bërë të mundur kurimin e kushtueshëm të vogëlushes. Familja mundësitë nuk i kishte dhe përmes “Shqiptarët për Shqiptarët” bëri lutjet për ndihmë.
E përgjigja e bamirësve erdhi. Më në fund Melisa po bëhet gati të niset. Poshtë ambienteve të spitalit në QSUT, presin mes syve, duarve e buzëve që dridhen, të gjithë të afërmit e familjarët… mes tyre nëna e gjyshi. Të dy në moshë të thyer, ata derdhin lotët e shpresës, teksa duart e tyre prekin inkubatorin ku qëndron mbesa. Qoftë ky inkubator i fundit ku qëndron moj shpirt, duket sikur pëshpërisin sytë e këtyre dy të moshuarve.
Tanimë koha ka ardhur. Kristjana do të niset me të bijën drejt Italisë. Pak para nisjes, babai i Melisës së vogël i drejtohet të bijës…
“Melis zemër, do të shërohesh shumë shpejt… mirupafshim shpirti im i vogël”
Ambulanca niset dhe minutat kalojnë shpejt. Avioni spitalor është gati dhe pak para nisjes kryhen veprimet e fundit për sigurinë e vogëlushes. Teksa motorët e avionit bëhen gati, Kristjana ngre dorën lart për të përshëndetur… këtë nënë të përvuajtur e pret një rrugë e gjatë.
E neve tanimë nuk na mbetet veçse të lutemi në Zot, që Melisa të shërohet plotësisht e kur të kthehet në atdhe, të jetë në krahët e nënës