Tragjedi në Venecia: Autobusi me turistë bie nga disa metra lartësi, të paktën 21 viktima, mes tyre disa fëmijë

Të paktën 21 persona kanë ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti tragjik në autobusin ku udhëtonin dhjetëra turistë. Autobusi ishte nisur ng Mestre drejt Venecias, kur shoferi ka humbur kontrollin e mjetit, është përplasur me barrierën mbrojtëse e më tutje ka rënë nga një lartësi prej 15 metrash, pranë shinave të trenit. Pas impaktit të fuqishëm, autobusi (i cili ishte elektrik) ka marrë flakë.

Mes viktimave janë tre fëmijë, përfshi dhe një foshnje, treguan shërbimet e emergjencës italiane. Ministri i Brendshëm Matteo Pianedosi, tha për median se numri i viktimave mund të rritet.

15 persona dihet se janë plagosur, 5 prej tyre në gjendje serioze. Zyrtarët në Venecia deklaruan se në bord kishte turistë nga Ukraina, Austria, Spanja e tjera vende të huaja. Dy vëllezër me origjinë gjermane të moshave 7 e 13 vjeç ndodhen nën kujdesin e mjekëve pas pësimit të frakturave… ndërsa prindërit e tyre ishin dy prej të paktën 21 viktimave.

Autobusi mbante afro 39 persona, kur rreth orës 8 të darkës (djeshme) ndodhi aksidenti. Autobusi mesa duket ishte marrë me qira nga një kompani lokale, që merrte turistët dhe i dërgonte nëpër zonat turistike të Venecias.