“Djalit i bënë anestezi, qëndroi atje 9 orë” Rrëfimi i gjyshit të 3 vjeçarit që humbi jetën tre ditë pas mjekimit tek dentisti

“E çuam për të pastruar dhëmbët. Bëmë konsultë me mjekun dhe vajzën e tij, ku na sugjeruan operacionin dhe ne pranuam. Djalit i bënë anestezi totale dhe e futën në operacion, ku qëndroi 9 orë.”

Kështu është shprehur gjyshi i tre vjeçarit, i cili tragjikisht ndërroi jetë, tre ditë pas mjekimit në një klinikë private dentare në kryeqytet. Gjyshi i 3 vjeçarit të ndjerë ka dhënë një intervistë për Top Channel, duke thënë se nipi nisi të ketë temperaturë e të ndihet keq, jo më shumë se 1 orë pasi mbërriti në shtëpi.

“Mjeku na tha se gjithçka shkoi mirë. Na i dha në gjendje gjumi dhe na tha se do zgjohet pas gjysmë orë. Shkuam në shtëpi dhe pas 1 orë fëmijës i hipi temperatura dhe u zverdh. Mjeku nuk hapi telefonin më.

E çuam fëmijën te pediatria. E futën direkt në intubim se ishte rëndë. Na thanë e ka nga narkoza e tepërt. Të nesërmen pati hemoragji në mushkëri dhe mëlçia i doli jashtë funksionit. Pas 3 ditësh vdiq. Shteti të marrë në dorë situatën. Të vendosë drejtësi sepse në të kundërt do e marrim ne hakun e djalit”, shprehet gjyshi i 3-vjeçarit.