Javën e ardhshme Turqia merr drejtimin e KFOR-it

Më 10 tetor të këtij viti, pritet që Turqia të marrë komandën e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, në një kohë kur tensionet në veri të vendit janë më të larta se kurrë, si pasojë e sulmit terrorist kryer nga serbët.

Kësisoj javën e ardhshme gjenerali italian Ristuchia do të dorëzojë stafetën e drejtimit të KFOR-it në duart e gjeneralmajorit turk Ozkan Ulutas, i cili ka mbërritur tashmë në Kosovë së bashku me një shtesë trupash prej rreth 600 ushtarakësh.

Pritet që Presidenti Turk Erdogan të vizitojë Prishtinën e Beogradin, si pjesë e një turneu në rajon, përgjatë muajve të ardhshëm.

Turqia planidikon që t’i kërkojë palëve që t’i përmbahen veprimeve që sjellin përshkallëzimin e konfliktit, ndërsa NATO vetë ka vendosur së fundmi t’i shtojë 4500 trupat e saj në Kosovë me një forcë prej 700 ushtarësh të tjerë.

Njëkohësisht me interes pritet dhe verdikti që do të marrë Brukseli në lidhje me sulmin terrorist serb në Banjskë të Kosovës. Një sërë vendesh e figurash politike në perëndim, kanë kërkuar që BE-ja të shprehet përmes sanksioneve dhe masave kundër shtetit serb, në përfshirjen e tij në sulmin terrorist ku u vra në krye të detyrës oficeri Afrim Bunjaku.