Raportuesja për Kosovën në PE: Ndaj Serbisë është përgatitur një paketë masash, duhen miratuar

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE), Viola von Cramon ka pranuar se ndaj Serbisë është përgatitur një paketë masash, si sanksione ndaj sulmit të 24 shtatorit të Banjskë, atje ku humbi jetën në krye të detyrës heroi Afrim Bunjaku.

Von Cramon i ka bërë deklaratat në një intervistë për Inside Albania, me gazetaren Alice Taylor.

 “Nuk do t’i quaja sanksione, sepse ato duhen miratuar nga Këshilli, por flasim për masa politike dhe financiare, që natyrisht do të dëmtojnë qeverinë e Serbisë…

Vuçiç është në kontroll të shumëçka ndodh në Serbi. Vështirë të mendohet se ai nuk kishte dijeni se çfarë po ndodh sa i takon blerjes së armatimeve, apo organizimit të grupit agresor. Megjithatë, nuk mendoj se Serbia ka interes për një sulm më të madh ushtarak, apo për luftë”, tha raportuesja për Kosovën në PE.

Von Cramon tha se një sërë diplomatësh po hartojnë një tjetër propozim, sesi komunikimi mes Prishtinës e Beogradit, të ‘ecë përpara’.

 “Ajo që kuptoj është se shumë diplomatë po hartojnë një tjetër propozim se si do të bëjmë para. Më tepër detaje nuk mund të jap për momentin”, tha von Cramon.

Në një intervistë të dytë, me euro-deputetin holandez Thijs Reuten, ky i fundit u tregua edhe më i ashpër duke thënë se dihet kush është agresori e shteti që po tenton destabilizimin.

 “Pavarësisht kritikave të shumta për muaj të tërë nga ana e Parlamentit, sanksione janë vendosur vetëm ndaj Kosovës dhe jo ndaj agresorit, shkakut kryesor të destabilizimit dhe provokimeve që kemi parë prej kohësh… BE duhet të braktisë politikën katastrofale të pajtimit me Vuçiç sepse nuk po funksionon. Sa herë Vuçiç është kthyer nga Brukseli në Beograd dhe me krenari ka treguar se nuk ka firmosur gjë, Komisioneri Varhelyi i ka shkuar në derë me 600 milionë euro! Kjo duhet të marrë fund!”- tha Reuten.