Policia ndalon 16 vjeçarin në Pejë, dyshime se kishte planifikuar t’u merrte jetën disa nxënësve në gjimnaz

Një djalë në moshë të mitur është arrestuar nga autoritetet në Pejë të Kosovës, nën dyshimet serioze se i riu po bëhej gati të kryente një vepër të rëndë.

Autoritetet e ndaluan të miturin me inicialet B.M pasi ai rezulton të kishte planifikuar të vriste disa nxënës të gjimnazit të Pejës. Tanimë gjykata e ka caktuar masën e paraburgimit 30 ditor, deri në hetimin e zbardhjen e plotë të ngjarjes.

 “Inicialet e të dyshuarit janë B.M. Atij i është caktuar paraburgimi prej 30 ditëve pasi dyshohet për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.”- ka thënë zëdhënësja e gjykatës themelore në Pejë.

Ndërsa në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se ai u arrestua pasi paraqet kërcënim.

“PREGADITJA  E VEPRAVE PENALE TERRORISTE OSE VEPRAVE PENALE KUNDËR RENDIT KUSHTETUES DHE SIGURISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS – Pejë/07.10.2023-12:10. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti paraqet kërcënim. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhej në raport.