Divjakë: Dy persona hyjnë dhe grabisin shtëpinë e të moshuarës, 82 vjeçarja dhunohet rëndë fizikisht

Një 82 vjeçare është rrahur barbarisht e më tutje është vjedhur nga dy persona, të cilët kanë hyrë në shtëpinë e saj në fshatin Shën Premte në Divjakë. Personat në fjalë, fqinjë të të moshuarës, janë arrestuar tashmë dhe u janë sekuestruar të gjitha sendet me vlerë e paratë e vjedhura.

E moshuara 82 vjeçare ndërkohë e cila jetonte e vetme në banesë, ka tentuar të rezistojë e është rrahur barbarisht nga hajdutët.

Një foto e saj u publikua nga deputeti i zonës i PS-së, Erion Braçe, i cili shkroi:

“Tre dite me pare, dy horra po nga ky fshat, kane hyre dhunshem ne shtepine e saj, per te vjedhur, kane vjedhur gjithcka gjeten; 82 VJEC, E VETME, I KA REZISTUAR GRABITESVE, te cilet e kane dhunuar barbarisht, katandisur keshtu-sic e shihni!” – shkruan Braçe.

Njoftimi i policisë:

I vodhën me dhunë, një shtetaseje të moshuar, bizhuteritë e floririt që kishte në banesë, identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas.

Nga hetimet rezultoi se këta shtetas janë autorë dhe të 4 vjedhjeve të tjera, të kryera në banesa aktualisht të pabanuara.
Sekuestrohen bizhuteritë e floririt, pajisje elektroshtëpiake dhe produkte të tjera, të vjedhura nga këta shtetas.

Si rezultat i administrimit me përparësi të kallëzimit të një 81-vjeçareje, se 2 shtetas i kishin vjedhur me dhunë, bizhuteritë e floririt që kishte në banesë, në fshatin Shën e Premte, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Repeat”, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe vënien në pranga të autorëve të dyshuar të këtij rasti, shtetasve A. B., 25 vjeç dhe G. K., 19 vjeç, të dy banues në fshatin Shën e Premte.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë 2 javëve të fundit, kanë vjedhur pajisje elektroshtëpiake dhe pije alkoolike, në 4 banesa të tjera, në të njëjtin fshat, pronarët e të cilave aktualisht janë jashtë shtetit.

Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta 2 shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.