Ndeshja vendimtare me Çekinë, ky pritet të jetë formacioni i zgjedhur nga Silvinjo

Këtë mbrëmje Shqipëria pret në “Air Albania” kombëtaren e Çekisë, në një tjetër ndeshje vendimtare për kuqezinjtë, në rrugëtimin e tyre drejt Europianit 2024.

Trajneri i kombëtares pritet te vendosë në fushë të gjithë lojtarët që u aktivizuan në takimin e parë me çekët në Praga. I vetmi ndryshim, i detyruar, do të jetë në mbrojtje, atje ku Ismajli i dëmtuar parashikohet të zëvendësohet nga Ajeti. Ky i fundit do të luajë në qendër bashkë me Gjimshitin, ndërsa në krahë do të jenë Hysaj e Mitaj.

Në portë do të jetë Berisha, ndërsa në mesfushë treshja Ramadani, Bajrami e Asllani. Në repartin ofensiv pitet të vendosen Cikalleshi, Asani e Seferi.

Në konferencë për mediat disa ditë më parë, Silvinjo tregoi se 80% të formacioni e ‘kishte në kokë’ tashmë, porse gjithçka do të qartësohej vetëm pak para nisjes së ndeshjes.

Kujtojmë se diferenca mes kombëtares sonë dhe asaj të Çekisë është veçse dy pikë, duke e bërë të domosdoshëm një rezultat pozitiv për kuqezinjtë.