Miliarda neurone dhe mbi 3,000 lloje qelizash, publikohet harta më e detajuar e trurit njerëzor

Një grup shkencëtarësh kanë bërë publik ‘hartën’ më komplekse e më të detajuar të krijuar ndonjëherë për trurin e njeriut. Me një katalog prej mëse 3 mijë lloje qelizash truri, puna e madhe është publikuar në një duzinë me artikuj shkencorë në revistën e mirënjohur “Science”.

Botimi special i revistes shkencore “Science” mbi ‘atlasin’ e trurit

Puna e komplikuar dhe tepër e gjatë është bërë e mundur falë një iniciative (Brain Research Through Advancing Innovative Neurotechnologies (BRAIN) initiative) që ka kushtuar afro 3 miliardë dollarë.

Renderim 3D i llojeve te neuroneve ne trurin njerezor

“Secila pjesë e trurit, është aq komplekse sa një organ i tërë”-tha Ed Lein, neuroshkencëtar në një organizatë kërkimi në Seattle (SHBA). “Kjo është e para herë që bëjmë një përshkrim kaq të detajuar. E nëse ne nuk e kuptojmë nivelin e komplikimit të trurit, nuk e di nëse do të kuptojmë ndonjëherë sëmundjet e trurit/mendjes”-shtoi më tutje ai.

Publikimet shkencore, plot 21 të tilla, tregojnë në detaje llojet e funksionet e qelizave të trurit. Krahasime janë bërë dhe me trurët e primatëve të tjerë, për të bërë të qartë dallimin mes mendjes sonë dhe të kafshëve.

Nga puna e kryer (e cila nisi një dekadë më parë) deri më tani janë identifikuar mbi 3 mijë lloje të qelizave të trurit. Truri i njeriut ka afro 86 miliardë neurone dhe një numër të ngjashëm të qelizave gliale (lloj qelize që ofron ‘suport’ fizik e kimik për neuronet e trurit).

Më poshtë po sjellim disa foto, të marra nga artikujt e Science (posaçërisht njëri, ku analizohen 3 trurë njerëzorë në krahasim me kafshë), ku dallohen llojet e ndryshme të qelizave dhe kompleksiteti i jashtëzakonshëm i trurit.

Burimi: Washington Post/ Përshtati me shkurtime: FCH.al