Ardhja e vjeshtës ka shtuar ndjeshëm rastet me virozat stinore, në thuajse mbarë vendin. Veçanërisht për fëmijët, numri i të cilëve është rritur si pasojë e prekjes nga virozat. Nuk kanë munguar dhe rastet me Covid edhe tek fëmijët, shpjegojnë mjekët në Pediatrinë Infektive në QSUT.
“Kemi shtim të numrit të virozave respiratore tek fëmijët, ende vazhdojnë ato gastrointensinale dhe më pak apo më shumë me javë të ndryshme kemi edhe raste me Covid që vazhdojnë të shkaktojnë komplikacione sidomos respiratore pra të frymëmarrjes tek fëmijët për të cilat detyrohemi t’i hospitalizojmë. Simptomatologjia është e njëjtë dhe nëse nuk bën ekzaminimin përkatës mund të mendosh një virozë të thjeshtë dhe të jetë një Covid apo anasjelltas.”-tha për median Gjergjina Kuli, mjeke, shefe e shërbimit infektiv në pediatri.
Gjatë javës së që po lëmë pas, të paktën 7 fëmijë janë shtruar në pediatri si pasojë e infektimit me Covid, teksa shenjat e sëmundjes kanë rezultuar të jenë të zgjatura deri në 2 javë.
“Aktualisht kemi 7 raste të shtruara dhe po mbajmë në aktivitet një pavion të caktuar me shtretër për fëmijët që mund të vijnë edhe gjatë fundjavës. Veçanërisht janë të shtruar 6 muajt e parë të jetës. Kjo është një shenjë që tregon se pavarësisht se nënat shumica e kanë kaluar Covidin nuk kanë antikorpe të mjaftueshme për tu transmetuar fëmijëve për t’i mbrojtuar nga infeksionet e gjashtë muajve të parë të jetës.”-tha mjekja.
Në tërësi mjekët rekomandojnë kujdes të shtuar të prindërve për fëmijët, veçanërisht në mosha fare të vogla. Kjo pasi gjendja e fëmijëve të vegjël apo foshnjeve, mund të pëkeqësohet në mënyrë të shpejtë. Një tjetër këshillë që japin mjekët është që prindërit të mos i lënë fëmijët në mjedise të mbyllura, apo të mos i dërgojnë të vegjlit në çerdhe, kopshte apo shkolla kur ata janë prekur nga virozat.