Takim me komandantin e ri të KFOR-it, Kurti kërkon që forcat shtesë të misionit të ruajnë kufirin me Serbinë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka pritur në takim komandatin e ri të KFOR-it, gjeneralmajorin Özkan Ulutaş, i cili e mori detyrën javën e kaluar.

Kurti kërkoi nga komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s që të kenë bashkëpunim më të fortë, takime më të shpeshta, komunikim të rregullt dhe në veçanti, nevojën që KFOR-i të përdorë forcat e saj shtesë për të ruajtur edhe më mirë kufirin me Serbinë.

“Temë qendrore e takimit ishte situata e sigurisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Kosovë. Kryeministri theksoi që ky sulm terrorist ka vënë në pah nevojën për rritjen e sigurisë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Sasia e madhe e armatimit dhe municionit ushtarak të konfiskuar është prodhuar në Serbi. Edhe ushtrimet luftarake të paramilitarëve që kryen terror e vrasje në Banjskë të Zveçanit janë kryer në Serbi. Atje Kosova nuk ka jurisdiksion prandaj nevojitet edhe një hetim ndërkombëtar në Serbi mbi përgatitjet, furnizimin dhe orkestrimin e këtij sulmi.

Kryeministri e mirëpriti shtimin e numrit të trupave të KFOR-it, në përgjigje të sulmit terrorist nga ana e Serbisë në Kosovë, duke theksuar që kjo prezencë e shtuar duhet të koncentrohet në ruajtjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, prej nga edhe ka hyrë armatimi i Serbisë dhe nga vjen kërcënimi për Kosovën.
Ruajtja e kufirit nënkupton po ashtu mbylljen e rrugëve ilegale, prandaj edhe është i domosdoshëm bashkëpunimi më i madh me Policinë e Kosovës.

Kryeministri Kurti po ashtu theksoi nevojën që në veri të vendit të ofrohen shërbime të rregullta për qytetarët nga institucionet e Kosovës, prandaj duhet të garantohet liria e lëvizjes.”-thuhej në deklaratën për shtyp, publikuar nga kryeministria e Kosovës.