Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë pasdite në Kamëz, atje ku një 18 vjeçar ka qëlluar me armë dhe ka plagosur një të mitur 16 vjeçar. Një konflikt për motive të dobëta ka mjaftuar që 18 vjeçari i identifikuar si A.H, të qëllojë me armë në këmbë të adoleshentin. Ky i fundit ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, ndërsa 18 vjeçari është shpallur në kërkim.
“Plagosi me armë zjarri një shtetas, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, ditën e sotme, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “OSBE”, në Kamëz, një shtetas ka plagosur me armë zjarri një 16-vjeçar, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin e autorit të dyshuar.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore u bë identifikimi i autorit të ngjarjes, shtetasit A. H., 18 vjeç, i cili gjatë një konflikti për motive të dobëta, ditën e sotme, rreth orës 16:10, ka plagosur me armë zjarri në këmbë, një 16-vjeçar. 16-vjeçari si pasojë është dëmtuar dhe ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Vijon puna për kapjen e autorit të dyshuar. Materialet do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale“, njofton policia.