Çfarë thuhet në rezolutën e miratuar nga PE për aktin terrorist në Banjskë të Kosovës

Parlamenti Europian (PE) ka miratuar këtë të enjte një rezolutë për dënimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, atje ku mbeti i vrarë heroi i Kosovës Afrim Bunjaku.

Pesë draft-rezolutat e propozuara në Parlamentin Europian, janë përmbledhur në një rezolutë të përbashkët, e cila është votuar nga PE.

Draft-rezolutat janë propozuar  nga “S&D Group”; Grupi i të Gjelbërve; Konservatorëve dhe Reformistëve Europianë si dhe nga grupi “PPE”.

Në rezolutën e miratuar nga PE, thuhet se sulmi  ndaj policisë së Kosovës në Banjskë, ishte një sulm terrorist.

“Dënojmë në mënyrën më të fuqishme të mundshme sulmin qyqar terrorist ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga ana e paramilitarëve mirë të organizuar serbë në Banjskë, në veri të Kosovës”, thuhet në tekst, ndërsa shteteve anëtare u bëhet thirrje ta dënojnë sulmin (nëse nuk e kanë bërë ende).

Në tekst, një ftesë i shkon Komisionit Europian dhe Këshillit Europian, që të marrin masa ndaj qeverisë së Kosovës, nëse hetimet dëshmojnë për lidhje të drejtpëdrejtë të Beogradit me sulmin në Banjskë.

 “Ftohet Këshilli që të miratojë masave të shënjestruara restriktive, përfshirë por jo edhe të kufizuara, ngrirjen e pasurisë dhe ndalimin e udhëtimeve për aktorët destabilizues në veri të Kosovës dhe liderët e rrjeteve kryesore të krimit të organizuar. Në këtë kontekst, ftojmë Këshillin që të ndjekë shembullin e Shteteve të Bashkuara për vendosjen e masave të shënjestruara kundër Millan Radoiçiç”, thuhet në rezolutë.

Përmes kësaj rezolute, po ashtu kërkohet që të largohen masat ndëshkuese ndaj Kosovës, vendosur më parë nga BE-ja.

“Shprehim keqardhje për masat negative të cilat Këshilli ka ndërmarrë ndaj Kosovës dhe kërkojmë që ato të hiqen sa më parë që të jetë e mundur. Kërkohet nga Këshilli dhe Komisioni Evropian që të rifillojnë kontaktet e nivelit të lartë me presidenten dhe Qeverinë e Kosovës”, thuhet në tekstin e rezolutës së miratuar.

Po ashtu, eurodeputetët kërkojnë që të mos vihet në dyshim liberalizimi i vizave për Kosovën.

“Rikujtojmë se marrëveshja për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk është dhe nuk duhet të lidhet me dialogun dhe duhet të hyjë në fuqi jo më larg se 1 janari i vitit 2024”, thuhet në tekst.