Elbasan: Policia arreston 68 vjeçarin, bashkëshortin e gruas e cila u vetëhodh nga furgoni në lëvizje e gjeti vdekjen

Policia e Elbasanit ka arrestuar afro 24 orë pas ngjarjes së rëndë, bashkëshortin e gruas e cila u vetëhodh nga një furgon në lëvizje ditën e djeshme, nga ku dhe gjeti vdekjen si pasojë e lëndimeve të rënda trupore.

Autoritetet kanë njoftuar se bashkëshortin i 57 vjeçares së ndjerë është arrestuar nën akuzën e dhunës në familje dhe shkaktimit të vetëvrasjes.

 “Nëpërmjet dhunës psikologjike të ushtruar ndaj bashkëshortes së tij, 68-vjeçari dyshohet se ka ndikuar te gjendja e rënduar psikologjike e shtetases M. Gj., e cila në këto kushte, është vetëhedhur nga furgoni”, njoftoi policia.

Ngjarja e rëndë ndodhi të premten në afërsi të fshatit Papër. Gruaja, një shitëse ambulante, ndodhej në një furgon me pasagjerë dhe ishte nisur për në punë. Papritur, ajo është çuar nga sedilja, ka hapur derën e pasme të furgonit dhe është hedhur, duke gjetur vdekjen. Shoferi ka ndaluar mjetin dhe së bashku me udhëtarët e tjerë janë përpjekur t’i vijnë në ndihmë gruas, por gjithçka ka qenë e kotë. Gruaja ka ndërruar jetë në vend, pas plagëve të rënda që ka marrë.