Pamje video nga përmbytjet në veri të Italisë,  në Milano rrugët “kthehen në lumenj” të rrëmbyeshëm

Thuajse i gjithë veriu i Italisë është përfshirë nga moti i keq, ndërsa reshjet e dendura kanë fryrë lumenjtë e liqenet duke sjellë përmbytje në disa qytete.

Në Milano reshjet e shumta kanë bërë që lumi Seveso të dalë nga shtrati e të ‘pushtojë’ rrugët e qytetit, shumë prej të cilave janë kthyer në ‘lumenj’ të rrëmbyeshëm.

Në Piaçenza e Parma shkollat u mbyllën ndërsa rrëshqitjet e dherave shoqëruar nga reshjet kanë detyruar autoritetet të evakuojnë një sërë familjesh që jetonin në katet e para të disa godinave.

Në Xhenova era e fortë dhe breshëri kanë shkaktuar probleme në aeroportin ‘Cristoforo Colombo’, ndërsa në Venecia nivelet e ujit kanë arritur 1 e 54 cm, duke lënë në pritje autoritetet për t’i bërë ballë një përmbytje katastrofike.

Probleme ka patur dhe në akset rrugore përgjatë veriut të vendit, veçanërisht në autostradën Brenner, e cila lidh Italinë me Austrinë. Një anë e autostradës u mbyll si pasojë e rrëshqitjes së dherave.