4 shqiptarë të pajetë, një në gjendje kritike, si ndodhi aksidenti tragjik në Hamburg

Media gjermane Bild i ka kushtuar një artikull të thelluar aksidentit tragjik që ndodhi pak ditë më parë në një kantier ndërtimi në Hamburg, atje ku humbën jetën të paktën 4 punonjës shqiptarë, ndërsa njëri u dërgua në spital në gjendje kritike për jetën.

Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën, ndërsa puna për nxjerrjen e trupave vijoi deri ditën e djeshme. Fillimisht nga zona u nxorrën 3 trupa të pajetë, të gjithë me kombësi shqiptare. Në median gjermane fillimisht u raportua për shtetas me pasaporta bullgare, por më vonë policia njoftoi se të gjithë punonjësit ishin me kombësi shqiptare.

Trupi i katërt i pajetë u nxorr vetëm pas orëve përpjekje nga ekipet gjermane, të martën.

Si ndodhi aksidenti tragjik

Skela ku punonin shqiptarët në katin e tetë të një pallati u shemb dhe ra në një bosht ashensori. Tre prej shqiptarëve humbën jetën menjëherë si pasojë e mbetjeve që u ranë sipër.

Media gjermane Bild raportoi së fundmi se shkak i aksidentit me të paktën 4 viktima, ka qenë një skelë e ankoruar jo në mënyrën e duhur dhe një peshë e madhe e vendosur pikërisht në skelë (afro 80 blloqe betoni vendosur atje, secila me peshë rreth 20 kilogramë). Blloqet në fjalë mendohet se janë futur në skelë midis katit të tretë dhe të katërt në kantier.

Bild shton se është interesuar të pyesë operatorin e kantierit të ndërtimit atje, nëse ka patur shkelje apo gabime në transportimin e materialeve të ndërtimit, por ky i fundit nuk dha informacion konkret.

Bild shkruan se një zëdhënës atje dha këtë përgjigje pas kërkesës së tyre për informacion:

“Në këto orë të vështira, mendimet tona shkojnë për viktimat, familjet e tyre dhe këdo që punon në kantierin e ndërtimit. Ekipi ynë po jep ndihmë për shpëtimin e punëtorëve dhe po bashkëpunon ngushtë me autoritetet. Kërkojmë nga ju mirëkuptim, që në këto momente, nuk mund të japim më shumë informacion”

Ngatërresat në komunikim

Përgjatë orëve pas aksidentit tragjik dhe më tutje, pati një seri me ngatërresa në komunikim, shkruan BILD. Afro 45 minuta pas ngjarjes, zëdhënësi i departamentit të zjarrfikësve atje Pilipp Baumann u tha reporterëve dhe po ashtu dhe BILD-it se pas vëzhgimit të kamerave kishin parë ‘të paktën 5 persona të pajetë’.

Përgjatë ditës, numri i viktimave u korrigjua në 4, më pas në tre… dhe më vonë, në 4 sërish. Një tjetër ngatërresë u bë gjithashtu edhe me kombësinë e të ndjerëve. Autoritetet fillimisht thanë se vikimat ishin bullgarë, ndërsa më vonë policia njoftoi se të gjitha viktimat ishin me kombësi shqiptare.

Burimi: BILD/ përshtati: FCH.al