Lumi i Lanës del nga shtrati në zonën e ‘pallatit me shigjeta’, për sa kohë do të vijojnë reshjet

Pas disa orëve me reshje të dendura e intervale reshjesh intensive, një sërë rrugësh në kryeqytet janë përmbytur. Në vendin e njohur si “Pallati me Shigjeta” lumi i Lanës ka dalë nga shtrati, siç duket edhe nga fotot e mëposhtme.

Këtë të premte sipas meteorologëve, Shqipëria është prekur pjesërisht nga stuhia ‘Ciaran’, ciklon i cili deri më tani ka marrë disa jetë në Italinë fqinje, Francë e Belgjikë, si dhe ka sjellë dëme deri në Britaninë e Madhe.

Po sipas meteorologëve, reshjet e shiut me intervale me intensitet të lartë, pritet të vijojnë deri ditën e nesërme në ultësirën perëndimore dhe në veri të vendit. Qytetet më të prekura nga reshjet janë qarku i Shkodrës, Lezhës, Tirana e Vlora.

Pas mesditës së të shtunës, intensiteti i reshjeve të shiut pritet të bjerë. Të dielën parashikohet sërish të ketë shi në thuajse të gjithë territorin e vendit, por intensiteti i reshjeve do të jetë i ulët në krahasim me këtë të premte.