Itali: 34 vjeçari shqiptar vritet me armë zjarri, dyshime se krimi erdhi si pasojë e xhelozisë

Një i ri me origjinë nga Shqipëria është vrarë me armë zjarri në Vermante, në zonën e njohur si Cueno.  34 vjeçari Klaudio Myrtaj u gjet në tokë, në punishten ku punonte, me një plagë në kokë, shkaktuar nga një armë zjarri.

La Stampa shkruan se dyshimet e para të policisë janë se vrasja ka ardhur si pasojë e xhelozisë. Policia ka marrë në pyetje disa persona, përfshi këtu dhe të dashurën e të ndjerit. Nga sa kanë mësuar mediat italiane, autori i krimit e ka qëlluar shqiptarin me armë me silenciator. Nga pamjet e kamerave të sigurisë, dallohet autori i cili ka pritur derisa pronari i punishte ku punonte shqiptari, të dilte nga godina.

Ka qenë ky i fundit (pronari punishtes) i cili ka njoftur autoritetet, ndërsa një klient i punishtes e kishte  gjetur 34 vjeçarin në fund të jetës.

Klaudio kishte afro 2 vite në Itali. Jetonte jo shumë larg vendit ku ndërroi jetë. Në komunitet njihej si njeri punëtor dhe i sjellshëm me banorët e tjerë të zonës.